Перейти к содержимому

3 nëntor 1839 – Tanzimati, reforma që realizoi “pushtimin e dytë të Shqipërisë”

MCN TV

0:00 / 0:00

3 nëntor 1839 – Tanzimati, reforma që realizoi “pushtimin e dytë të Shqipërisë”

391 просмотр · 17 ч назад
MCN TV
142 тыс. подписчиков
391 просмотр · 17 ч назад
Më 3 nëntor të vitit 1839, Perandoria Osmane nisi zyrtarisht epokën e reformave të Tanzimatit, zbatimi i të cilave, në trojet e banuara nga shqiptarët, është kosnideruar edhe si "pushtimi i dytë i Shqipërisë". Tanzimati në shqip “Riorganizmi” përbëhej nga një program ambicioz reformash, i nxitur nga realiteti i një krize të thellë të brendshme të Perandorisë si dhe fakti i ecurisë së jashtëzakonshme industriale të shteteve të Europës Perëndomire. Duhet pranuar se përpara nisjës së zbatimit të reformave së Tanzimatit, shqiptarët gëzonin njëfarë autonomie më të gjerë dhe një status të privilegjuar brenda Perandorisë, që ishte forcuar sidomos me lulëzimin e Pashallëqeve të mëdha, si ai i Shkodrës, nën Bushatllinjtë, dhe ai i Janinës, nën Ali Pashë Tepelenën. Edhe pse Porta e Lartë kishte arritur t'i përmbyste këto pashallëqe me anë të forcës ushtarake përpara vitit 1839, reformat e Tanzimatit do të aplikoheshin në terrenin shqiptar si një goditje përfundimtare për të zhdukur çdo mbetje të vetëqeverisjes dhe vetëorganizmit të pushtetit vendor. Me anë të këtyre reformave Stambolli kishte synim nënshtrimin e rreptë të provincave dhe vendosjen e një kontrolli të drejtpërdrejtë e të centralizuar politik dhe administrativ. Vala e re e centralizimit preku shtyllat kryesore të ekzistencës shqiptare, administratën, ushtrinë dhe ekonominë. Kështu, elitat tradicionale, krerët dhe bejlerët shqiptarë, të cilët kishin qeverisur vendin për shekuj, u zhveshën nga të gjitha postet drejtuese. Në vend të tyre, Porta e Lartë emëroi zyrtarë, pashallarë dhe guvernatorë të huaj, të zgjedhur e dërguar direkt nga Stambolli. Këta nëpunës të rinj, jo vetëm që nuk flisnin gjuhën shqipe, por nuk njihnin as traditat, as zakonet dhe as ligjet e deriatëhershme të Kanunit që rregullonin jetën e popullsisë vendase. Kështu që, zbatimi në terren i këtyre masave, krijoi një hendek të madh si dhe një ndjenjë kontrolli që shqiptarët e perceptuan si një fushatë të re pushtimi ushtarak osman. Problemi më i madh për shqiptarët do të rezultonte vendosja e sistemit të ri ushtarak të detyrueshëm. Deri në atë kohë, ata kishin shërbyer në fushata ushtarake kryesisht si luftëtarë vullnetarë, duke mos dalë përtej Ballkanit dhe gjithmonë në këmbim të privilegjeve ekonomike. Me ligjin e ri, të rinjtë shqiptarë detyroheshin të kryenin një shërbim ushtarak prej 5 deri në 7 vite, duke u dërguar në të gjitha frontet, qoftë edhe në skutat e Perandorisë, si për shembull në Jemen, apo shkretëtirat e Lindjes së Mesme. Sistemi i ri ishte krejtësisht kriminal, pasi pjesa më e madhe e rekrutëve shqiptarë nuk ktheheshin më kurrë të gjallë pranë familjeve të tyre, duke dëmtuar për pasojë edhe strukturën demografike të trevave shqiptare. Paralelisht me rekrutimin e dhunshëm të të rinjve, reformat e Tanzimatit sollën edhe një goditje të fortë ekonomike përmes reformës fiskale. Historkisht shqiptarët, sidomos për shkak të gjeografisë, apo terrenit malor, ose kishin paguar taksa të ulëta, ose, në këmbim të shërbimit ushtarak, ishin përjashtuar prej tyre. Kështu që përballja me një sistem të rreptë taksimi mbi pronën, tokën, bagëtinë dhe çdo kokë njeriu, që mblidheshin forcërisht nga ushtria dhe nëpunësit osmanë, nisi ta zhyste popullsinë në varfëri ekstreme. Për më keq, Stambolli vendosi monopolin shtetëror mbi produktet më të nevojshme, si kripa, duhani dhe baruti, ndërsa për popullsinë e krishterë, që nuk dërgonte ushtarë, u rrit ndjeshëm taksa për moskryerjen e shërbimit ushtarak. Më tej, reformat e Tanzimatit nisën të cenonin rëndë edhe identitetin kombëtar të shqiptarëve. Ato vijuan ta ndanin popullsinë mbi baza fetare dhe jo etnike. Për Portën e Lartë, shqiptarët myslimanë konsideroheshin thjesht "turq", ndërsa, ata të krishterë ortodoksë, konsideroheshin "rumë" ose “grekë”, duke mohuar ekzistencën e shqiptarëve si një komb i vetëm me një gjuhë dhe territor të përbashkët. Për më keq akoma, ndërsa popujve të tjerë të Ballkanit u lejohej arsimimi në gjuhët e tyre, popullsisë shqiptare ju ndalua rreptësisht shkrimi, mësimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla e administratë, duke rrezikuar edhe asimilimin kulturor. Pikërisht kjo situatë e re shtypjeje dhe mohimi provokoi një reagim të fuqishëm mbarëpopullor. Gjatë viteve 1840–1860, trojet shqiptare do të përfshiheshin nga një valë kryengritjesh të armatosura. Ndër më të fuqishmet ishte Kryengritja e Dervish Carës e viteve 1843–1844, përgjatë së cilës shqiptarët morën nën kontroll qytete strategjike si Tetova, Gostivari dhe Shkupi. Po aq e rëndësishme ishte edhe Kryengritja e vitit 1847, e Shqipërisë së Poshtme, e udhëhequr nga Zenel Gjoleka dhe Rrapo Hekali. Kryengritja nisi pas Besëlidhjes së Mesaplikut, ku krerët myslimanë dhe të krishterë u betuan bashkërisht për të luftuar reformat e Tanzimatit. Si përfundim mund të thuhet se reformat e Tanzimatit dështuan të integronin shqiptarët në strukturën e re të shtetit osman #mcntv #mcn #datastories #ferdinanddervishi #histori #ngjarjethistorike