29 tetor 1996 - Britanikët bien dakord të kthejnë arin shqiptar që grabitën nazistët
MCN TV
0:00 / 0:00
29 tetor 1996 - Britanikët bien dakord të kthejnë arin shqiptar që grabitën nazistët
820 просмотров · 5 ч назад
MCN TV
142 тыс. подписчиков
820 просмотров · 5 ч назад
Më 29 tetor të vitit 1996, Shqipëria dhe Britania e Madhe ranë dakord që Tirana t’i paguante Londrës një shumë prej 2 milionë dollarësh amerikanë, si dëmshpërblim për pasojat e Incidentit në Kanalin e Korfuzit, të ndodhur më 22 tetor të vitit 1946 përballë Sarandës.
Shuma e dëmshpërblimit ishte vendosur më 16 dhjetor 1949 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila urdhëroi shtetin shqiptar që ti paguante Britanisë rreth 844 mijë lira angleze, ndërkohë që regjimi komunist i Enver Hoxhës refuzoi për dekada me radhë, pasi e konsideronte vendimin e gjykatës të njëanshëm.
Sasia e dëmshpërblimit, prej 2 milionë dollarësh amerikanë, ishte pjesë e sasisë së arit monetar shqiptar, të depozituar në bankën e Romës, në Itali, gjatë kohës së Mbretërisë.
Kjo sasi ari, prej rreth 2.5 tonësh, u konfiskua, në shtator të vitit 1943, nga trupat nazi-gjermane menjëherë pas kapitullimit të Italisë Fashiste, duke u dërguar në Gjermani.
Pas kapitullimit të Gjermanisë Naziste, në maj të vitit 1945, forcat Aleate e zbuluan të gjithë sasinë e arit shqiptar të fshehur në një minierë kripe në Gjermani. Duke qenë se në minierë u gjetën edhe pasuri të shteteve të tjera, të pushtuara nga Gjermania Naziste, ari që i takonte shtetit shqiptar, kaloi nën administrimin e një Komisioni Tripalësh, të përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca.
Në vitin 1953, pronësia e Shqipërisë do të provohej juridikisht nga një arbitër ndërkombëtar, por e gjithë sasia e arit shqiptar do të mbetej e bllokuar nga Britania e Madhe, që kishte fuqinë e vetos si anëtare e Komisionit Tripalësh.
Britania e Madhe shkoi te ky vendim për shkakun se Shqipëria kishte refuzuar ti paguante, qysh nga viti 1949, dëmshpërblimin për incidentin e Kanalit të Korfuzit, përgjatë të cilit, në ujërat territoriale shqiptare, hasën në mina detare dhe u hodhën në erë dy destrojerë britanike dukë sjellë për pasojë vrasjen, në kohë paqeje, të 45 marinarëve.
Gjatë periudhës së komunizmit çështja mbeti pa asnjë zhvillim. Regjimi i Enver Hoxhës e kërkonte kthimin e arit të bllokuar pa asnjë kusht, duke përdorur retorikë nacionaliste dhe akuzuar Londrën për pirateri dhe imperializëm. Ndërsa pala britanike pretendonte se mund ta zhbllokonte arin monetar shqiptar vetëm pas pagesës së faturës së dëmit për Incidentin e Kanalit të Korfuzit.
Tratativat e fundit të komunistëve shqiptarë u shënuan mes viteve ‘70 dhe ’80 të shekullit të kaluar. Britanikët ofronin si opsion të vetëm zgjidhjeje formulën që thoshte se shuma e dëmshpërblimit duhet të zbritej nga vlera e arit, përpara se të lejonin që të transferohej në Tiranë.
Por komunistët shqiptarë, megjithë vlerën e madhe që ari kishte në këtë periudhë, këmbëngulën te parimet, duke vijuar të mos e pranonin fajësinë për minimin e Kanalit të Korfuzit si dhe vendimin e Gjykatës së Hagës.
Rënia e sistemit komunist dhe ndryshimet politike në Shqipëri, në fillim të viteve 1990, krijuan një klimë të re bashkëpunimi me Britaninë e Madhe. Në maj të vitit 1992, marrëdhëniet diplomatike u rivendosën, duke i hapur derën debatit për kthimin e arit monetar të shtetit shqiptar. Gjithçka nisi të merrte rrugë pas nënshkrimit, në vitin 1992, të Protokollit të Romës, ku palët ranë dakord për zgjidhjen e pretendimeve reciproke.
Negociatat kulmuan më 29 tetor 1996, kur përfaqësuesit e të dy vendeve nënshkruan një marrëveshje përfundimtare në Londër. Sipas kësaj marrëveshjeje, Shqipëria pranonte të paguante një dëmshpërblim prej 2 milionë dollarësh për të gjitha dëmet shkaktuar Britanisë së Madhe në Incidentin e Kanalit të Korfuzit.
Ndërsa Britania e Madhe dhe Komisioni Tripalësh ranë dakord të zhbllokonin dhe të kthenin vlerën e arit.
Por, meqenëse kostot e sigurimit dhe transportit fizik, të rreth 2.5 tonëve ar, nga Londra në Tiranë, ishin tepër të larta, qeveria shqiptare vendosi që kjo rezervë të mbetej e depozituar në Londër, ku ndodhet edhe sot si pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë.
Shuma prej 2 milionë dollarësh, që Shqipëria pagoi, ju dha si dëmshpërblim familjeve të 45 marinarëve të vrarë.. dhe 42 të plagosurve në Incidentin e Kanalit të Korfuzit
mcntv #mcn #datastories #ferdinanddervishi #histori #ngjarjethistorike