Lufto për të tjerët si luftoi Krishti për ty - 20 Shtator 2026
KISHA BAPTISTE TV
0:00 / 0:00
Lufto për të tjerët si luftoi Krishti për ty - 20 Shtator 2026
55 просмотров · 2 недели назад
KISHA BAPTISTE TV
127 подписчиков
55 просмотров · 2 недели назад
“Njeriu kur ndjen dhembjen është i gjallë; por kur ndjen dhembjen e tjetrit është njeri”. Kjo është një thënie filozofike që i atribuohet shkrimtarit të madh rus Leo Tolstoy, e cila flet për vlerën e lartë të dhembshurisë, ndjeshmërisë, apo empatisë të njeriut. Ai ishte një shkrimtar i madh, dhe në moshën 40-vjeçare, ndërsa lexonte Biblën, predikimi i parë i Jezusit në mal i preku zemrën dhe e futi atë në një krizë të thellë morale me veten e tij. Njerëzimi nuk matet thjesht me jetën biologjike, por me aftësinë për të dashur dhe për t'u kujdesur për dhimbjen e botës rreth nesh, ku ndikimi më i madh vjen nga frymëzimi i Frymës së Shenjtë të Perëndisë.
Dashuria e Perëndisë për të gjithë. Ajo është shumë më e madhe nga ajo thjesht njerëzore, Gjoni 3:16; Mateu 5:43-48.
Zoti lufton për shpirtin tonë. Kujto gjithë jetën e Krishtit, që nga krijimi, premtimi i parë i ardhjes së Tij, përmbushja, jeta në tokë, vajtja në kryq, ringjallja për jetën e përjetshme. Krishti nuk luftoi për ty sepse ti e meritoje. Ai luftoi për ty sepse të deshi. Prandaj, dashuria që kemi marrë prej Tij duhet të bëhet dashuri që lufton për të tjerët.
I. KRISHTI LUFTOI PËR TY KUR TI NUK MUND TË LUFTOJE PËR VETEN
Ai nuk luftoi me armë apo me ushtri, as me para apo me pozitë, por me trupin e Tij, me gjakun e Tij, me sakrificën e Tij.
Romakëve 5:6, “Sepse, ndërsa ishim ende të dobët, Krishti vdiq në kohën e Tij për të pabesët”.
Fjala “të dobët”, ka kuptimin “të pafuqishëm, gjysëm njeri, të sëmurë e të lodhur”.
Ka momente kur njeriu nuk ka më forcë: nuk di çfarë të bëjë: Nuk di si të dalë nga problemi, nuk ka fuqi të ndryshojë situatën, ka humbur shpresën (shëndeti, ekonomia, provimi, makina e prishur, rregullimi i marrëdhënieve, vdekja, etj.). Por pikërisht aty hyri Krishti.
II. KRISHTI LUFTOI PËR TY KUR TI ISHE KUNDËR TIJ
Krishti nuk luftoi për ty edhe për mua sepse ishim apo jemi njerëz të drejtë, por Ai luftoi për ty edhe për mua kur ne kishim tiparet e Djallit dhe ishim kundër natyrës së Tij (krenari, egoizëm, lakmi, urrejtje, anshmëri, gënjeshtra, etj). Romakëve 5:7-10.
Krishti nuk tha: “Kur të rregullohet, do ta dua”.
Por fjala dhe veprimi i tij tha: “Do ta dua edhe ndërsa është larg Meje dhe kundra Meje”.
Kjo ndryshon mënyrën se si luftojmë për njerëzit. Ne shpesh luftojmë vetëm për njerëzit që na duan. Krishti luftoi edhe për ata që e refuzuan, Mateu 5:46-48.
III. KRISHTI LUFTOI PËR TY QË EDHE TI TË BËHESH LUFTËTAR SI AI
Në fillimet e besimit isha adoleshent, dhe gjithçka sillej rreth meje, bota rrotullohej rreth meje. Fjala e Zotit, dashuria e Atit, sakrifica e Krishtit dhe frymëzimi i Frymës së Tij më mësoi e vazhdon të më mësojë se si të luftoj më shumë për të tjerët.
1) Të luftosh për të tjerët do të thotë të qëndrosh pranë tyre
Ai na ngushëllon në çdo shtrëngim tonë, që ne të mund të ngushëllojmë, 2 Korintasve 1:4.
2) Të luftosh për të tjerët do të thotë të lutesh për ta
Kolosianëve 4:12 flet për Epafran, “Ai gjithnjë lufton për ju në lutje …”. Çfarë fjale e fortë: “lufton.” Lutja me mendje, shpirt e zemër nuk është pasivitet. Ka beteja që nuk fitohen duke folur me njerëzit, por duke folur me Perëndinë për njerëzit.
3) Të luftosh për të tjerët do të thotë se ke nevojë për armë
Efesianëve 6:10-18 na kujton se lufta jonë nuk është kundër mishit dhe gjakut, por kundër djallit dhe pushtetit të tij. Prandaj kemi nevojë edhe për armatimin frymëror të Perëndisë.
Ky është një dallim shumë i rëndësishëm. Ndonjëherë mendojmë: “Problemi është ai person.” Por Bibla na mëson të shohim më thellë. Fatkeqësisht, shumë herë lufta për të ndihmuar kthehet në një luftë personale.
Vendim praktike
Bëj një listë me emra njerëzish: Familjarë, të kishës, fqinj, kolegë, etj.
Fillо të luftosh për ta në lutje
Bëj veprime konkrete: Telefonoji, vizitoji, dëgjoji, ndihmoji, fali, inkurajoji, ftoji në kishë.
Sepse dashuria e Krishtit nuk qëndroi në qiell duke na parë nga larg. Ai erdhi tek ne.
“Mos jeto vetëm duke kërkuar dikë që të luftojë për ty. Bëhu personi që Zoti përdor për të luftuar për dikë tjetër.”